Dyqanet e armëve “Renea” në Gjakovë dhe “Reload” në Prishtinë kanë qenë cak i hajnave të dielën mas mesnatës.
Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet se, të dielën rreth orës 01:10 pas mesnatës, një veturë e tipi Audi A4 në të cilën kanë qenë 4 persona, kanë tentuar ta thyejnë, fillimisht dyqanin e armëve “Renea” në Gjakovë.
Siç mëson Gazeta Sinjali, hajnat nuk kanë mundur të futen brenda.
Personat e njëjtë, rreth orës 03:20 kanë tentuar ta thyejnë edhe dyqanin tjetër të armëve “Reload” i cili gjendet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ku as këtu nuk kanë mundur të hynë brenda.
Lajmi për Gazetën Sinjali është konfirmuar nga Policia në Gjakovë, ndërsa së shpejti do u sjellim edhe detaje të reja lidhur me këtë rast.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që thyhen dyqanet e armëve në Kosovë.
Që nga 29 tetori, Gazeta Sinjali ka raportuar edhe për dy raste të tjera të grabitjes së armëve në Gjilan.