Sekretari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku, ka katër ditë që ka hyrë në grevë urie, shkruan Gazeta Sinjali.
Arsyeja për këtë, sipas Durakut është mosplotësimi i disa prej kushteve nga ana e ministrisë së Shëndetësisë dhe nga Shërbimi Spitalor i Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se, greva do të vazhdojë deri sa të plotësohen këto kërkesa: rritja e pagesë së ndërrimeve të natës, pagesa e orëve shtesë dhe punës gjatë vikendeve si dhe pagesa e rrezikshmërisë në punë.
Duraku ka shtuar se, edhe përkundër problemeve shëndetësore, ata nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre edhe nëse ka pasoja fatale.
Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, Duraku ka njoftuar se atij iu është bashkëangjitur edhe zëvendësi i tij, Mentor Sejdiu.
“Duke vërejtur vendosmërinë e sekretarit Enlirat K.Duraku i cili përkundër problemeve shëndetësore që i kanë filluar, i qëndron besnik kërkesave të infermierëve, prej sot unë kam vendosur t’i bashkëngjitëm grevës së urisë deri në realizimin e kërkesave së bashku me sekretarin Duraku”, ka shkruar Sejdiu./Gazeta Sinjali/