image Nuk kishte luftuar kur ishte koha, Kurti tash çdo ditë flet për luftë - Pse?

Politikë

Nuk kishte luftuar kur ishte koha, Kurti tash çdo ditë flet për luftë – Pse?

news image

Një deklaratë e kryeministrit Kurti ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për intervistën dhënë medias italiane, “La Repubblica”.

Ai nuk e mohoi mundësinë e luftës, duke thënë se për këtë iniciatore është Rusia, që po ndihmohet nga Serbia për destabilizim të rajonit.

Tutje, kryeministri shkoi edhe më tej. Tha se po të kishte një episod të dytë lufte në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për “La Repubblica”, transmetoi Nacionale.

E pamatshme

Megjithatë, kjo deklaratë në vendin tonë ka “detyruar” shumë figura që të reagojnë.

Figurat gjegjëse konstatojnë se këto deklarata të kreut të ekzekutivit janë tejet të pamatshme dhe për më tepër, të panevojshme.

Më së keqti mund të ndikojë tek investimet nga jashtë, ku shumë lehtë mund të bie numri i investitorëve, edhe ashtu i vogël, ndërsa ata që janë në dyshim për të investuar ose jo në Kosovë, me këtë deklaratë do ta kenë JO-në si përfundimtare.

Uk Lushi, ish-ushtar i UÇK-së dhe aktivisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se njerëzit që bëjnë luftëra nuk flasin për të, por përgatiten, dhe kuptohet, duke mos bërë zhurmë.

“Njerëzit që bëjnë luftëra nuk flasin për luftë por përgatiten dhe atë zakonisht pa bërë zhurmë”, shtoi Lushi në rrjetin social “Facebook”.

Në po të njëjtin rrjet, shkroi edhe Berat Rukiqi.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se përhapja e opinionit në mediat globale që në Kosovë mund të ketë luftë, nuk na sjell asnjë dobi.

“Përhapja e opinionit, në mediat globale, që në Kosove mund të ketë luftë, nuk ia sjell asnjë dobi Kosovës. Kompani të interesuara për investime në Kosovë, në mesin e tyre një kompani amerikane që planifikon të hap degë në Kosove, në muajt në vijim, më kane kontaktuar në ditët e fundit, të shqetësuar nga ajo që kanë lexuar.

Kosova edhe pa këto deklarata, ka nje imazh të vendit të konfliktit dhe të rrezikut të lartë politik, gjë që ka frikësuar shumë kompani të investojnë në Kosovë. Nuk është e dobishme që tani ta ushqejmë edhe më tutje këtë percepcion”, shkroi Rukiqi.

I ashpër ndaj këtyre deklaratave ishte edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kurti e dëshiron krizën

Abdixhiku ndër të tjerash tha se me këto deklarata nënkuptohet që Kurti e dëshiron krizën dhe se ëndërron protagonzimin te paniku.

“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë.

Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.

Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!”, shkroi i pari i LDK-së në pjesën e parë të reagimit.

Tutje ai propozoi që t’i pyesim sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunëtorët në botë, për të kuptuar nivelin e saktë të deklaratës së Kurtit për luftë.

“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më.Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarake, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërretë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë”, përfundoi Abdixhiku.

Kurse, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar që të mos ndjellet frikë e panik te qytetarët, pasi sipas saj, NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës.

Madje ajo kujtoi faktin se Serbia e di shumë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO-në.

“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu. Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë. Nderkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, tha Çitaku.

/GazetaSinjali/