Edhe më tej po vazhdon heqja e shtetësisë nga qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë e veprojnë në vende të ndryshme.
Arsyet e lirimit të shtetësive janë të ndryshme, si problemet gjatë kalimit nëpër Serbi, mos lejimi i dy shtetësive e çështje tjera, tregojnë mërgimtarët.
Që nga themelimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme deri tash, mbi 63 mijë shtetas kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë për Gazetën Sinjali, se numri i përgjithshëm i shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë hequr dorë nga shtetësia është 63 mijë e 50 persona.
Sipas zyrtarëve të MPB-së, arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së.
Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete, e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë, janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.
“Pra arsyeja kryesore është ndalimi i dy shtetësisë në shumë vende”, thonë nga Ministria e Brendshme.
Nga MPB-ja tregojnë për Gazetën Sinjali se gjatë periudhës 1 janar deri me 30 gusht të këtij viti janë bërë 2 mijë e 765 kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës.
Ndërsa nga shtetësia janë liruar 2 mijë e 978 persona.