image 'Nuk kam fjalë', Çitaku e shokuar pas vrasjes së gruas shtatzënë para QKUK-së

Sociale

‘Nuk kam fjalë’, Çitaku e shokuar pas vrasjes së gruas shtatzënë para QKUK-së

news image

Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, është shprehur e shokuar pas dyshimeve për vrasje të një 35-vjeçareje shtatzënë pranë oborrit të QKUK-së, raporton Gazeta Sinjali.

“E shokuar! Nuk kam fjalë për krimin që ndodhi pak më parë në QKUK, ku ish-bashkëshorti dyshohet se ka vrarë gruan e tij shtatëzënë para Klinikës së Gjinekologjisë”, ka reaguar ajo në Facebook.

Ajo ka kërkuar dënim maksimal për kryesin e kësaj vrasjeje makabër.

“Dy gra që vriten pikërisht brenda periudhës së kampanjës kundër dhunës me bazë gjinore. Për monstrumin e sotëm që shuajti dy jetë, një në mes e tjetrën pa filluar ende, dënim maksimal. Shteti të reagoj fuqishëm dhe pa kompromis. Ngushëllimet më të thella familjes. E pikëlluar sa s’ka”, tha tutje ajo.

Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur sonte në QKUK, ku një person dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë.

Burimet nga QKUK-ja bëjnë me dije për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është Sokol Halili, 31-vjeçar i cili dyshohet se e ka qëlluar ish-bashkëshorten Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugagji i Lipjanit dhe më pas ka ikur.

Sipas informacioneve të para, rastit tragjik i ka paraprirë një fjalosje mes të ndjerës dhe të dyshuarit që përfundoi me vrasje. Gruaja shtatzënë është vrarë me një plumb të armës së zjarrit, pasi në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një gëzhojë.

Sinjali ka mësuar se Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij, ndërkohë që sipas të njëjtave burime, i dyshuari ka ikur nga QKUK-ja me veturën e tij Opel Astra.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/