Ka më shumë se 10 ditë që pacientët e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës analizën “CRP” po detyrohen ta bëjnë në laboratorët private.
Kjo për shkak se në Klinikën e Biokimisë Mjekësore në QKUK është shpenzuar i gjithë materiali dhe furnizimi pritet të bëhet brenda 14 dite.
Mirëpo, kreu i kësaj klinike Shemsi Veseli bëri me dije se klinicistët kanë pasur alternativa të tjera.
“Ju njoftoj që vetëm CRP-ja për momentin nuk është duke u punuar meqë ka skaduar kontrata e vitit të kaluar që është shfrytëzuar 130% për CRP, megjithatë në vend të saj është punuar PROKALCITONIA dhe PRESEPSINA që janë shumë më të ndjeshme se CRP-ja”.
“Kështu që për pacientët e spitalizuar, klinicistët kanë pasur mundësi t’i shfrytëzojnë këto alternativa derisa të lidhet kontrata e re me Operatorin Ekonomik fitues, ku më së largu brenda 14 ditësh do të përfundojë afati i procedurave-ligjor”, deklaroi për KlanKosova, Shemsi Veseli, drejtor i Klinikës së Biokimisë Mjekësore.
I njëjti shtoi se analiza D-Dimer po punohet për të gjithë pacientët spitalor dhe ambulator dhe se ka më shumë se një vit që nuk kanë mbetur pa reagjentë të kësaj analize.