Norvegjia do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën sidomos në fushën e konsolidimit ndërkombëtar dhe thellimit të bashkëpunimit mes të dyja shteteve.
Këtë mesazh e ka përcjellë sot në Prishtinë, ambasadori i ri i këtij vendi, Jens Erik Grondahl i cili me rastin e pranimit të detyrës së re është pritur në një takim nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.
Kreu i Qeverisë në largim, Haradinaj ka theksuar se Kosova ka qenë me fat që në periudhat kyçe të shtetndërtimit ka pasur në krah vende si Norvegjia që e kanë mbështetur kauzën për liri dhe shtetndërtim.
“Ne besojmë se rrugëtimi ynë në rrafshin ndërkombëtar, në konsolidimin e mëtutjeshëm është më i sigurt kur kemi në krah partner si Norvegjia dhe ne jemi të fokusuar ta fuqizojmë këtë dhe të kërkojmë mbështetjen e mëtutjeshme për avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale në ekonomi, edukim dhe në fusha të tjera”, ka thënë Haradinaj.
Më tej, Kryeministri në detyrë ka përmendur faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ky proces është një e drejt e fituar e Kosovës, për të cilën presim vendimin nga BE.
“Kosova nuk do të prodhojë refugjat dhe as telashe për vendet e BE-së. Me lëvizjen e lirë këto vende, përfshirë edhe Norvegjinë do të përfitojnë më shumë mundësi të këmbimit të përvojave, ekspertizave dhe më shumë konsumatorë. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi dhe në këtë drejtim kemi punuar fuqishëm në forcimin e institucioneve të rendit, ligjit dhe sigurisë”, ka thënë Kryeministri në detyrë Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e Norvegjisë në këtë proces dhe në anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një veprim i nevojshëm për paqe të qëndrueshme në Ballkan.
Ai ka shtuar se Kosova është e gatshme dhe ka kapacitete për të ofruar shumë për sigurinë në rajon dhe botë./ Sinjali/.