Fituesit i çmimit Nobel për kimi, izraeliti Dan Shechtman, po qëndron në një vizitë në Kosovë.
Shechtman tha se si shembull të zhvillimit Kosova duhet ta ketë vendin e tij Izraelin.
“Izraeli e ka shpallur pavarësinë 60 vjet para, pra në vitin 1948 kurse Kosova në vitin 2008. Popullata jonë u rrit shumë shpejtë. Tani jemi rreth 10 milionë. Kur kemi filluar ishim 650 mijë banorë”, tha ai.
Nobelisti izraelit foli edhe rreth asaj se çka duhet të bëjë një shtet për t’u promovuar.
“Unë flas shumë për arsimin, ndërmarrësinë, teknologjinë, ekonominë”, tha nobelisti izraelit në Klan Kosova.
Nobelisti izraelit Dan Shechtman ka folur për rënien e natalitetit në Kosovë, të cilën ai e cilësoi si problematike, pasi, sipas tij, qytetarët janë burimi kryesor i zhvillimit të këtij vendi
“Tani është dy fëmijë për grua dhe së shpejti do të zbriste te standardi evropian 1.5 që nuk është mirë, pasi qytetarët e Kosovës janë burimi kryesor i vendit tuaj. Nuk është as metali as mineralet, pra është mendësia e njerëzve dhe këtë nuk mund ta nxirrni nga dheu, por duhet ta zhvilloni… Ky është një problem madhor, duhet të rriteni dhe tani situata është se ju jeni duke u tkurrur se nuk kemi shumë fëmijë”, ka thënë Shechtman.
Ai tha se Kosova duhet të ketë arsim të mirë në të gjitha nivelet.
“Unë, një person i vetëm, kam gati 10 mijë inxhinierë, që e kanë vijuar klasën te unë. Pra, duhet të jeni aktivë në promovimin e arsimit të shkëlqyeshëm”, ka shtuar ai.
Shechtman theksoi se Kosova duhet të krijojë kushte të mira, në mënyrë që qytetarët të mos largohen nga vendi.