Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar për rritjen e pagës minimale në sektorin privat në vlerë prej 250 euro, kurse Sindikata e Pavarur e Kosovës ka kërkuar që paga minimale të rritet në 350 euro, transmeton Gazeta Sinjali.
Ndërkaq njohësit e çështjeve ekonomike kanë mendime të ndara sa i përket rritjes së pagës minimale.
Bardh Ahmeti deklaron se është e nevojshme rritja e pagës minimale pasi vendi ka shënuar rritje graduale ekonomike. Ahmeti konsideron se me rritjen e kostos së punës në treg janë krijuar kushtet për një ngritje të pagës minimale.
“Paga minimale duhet të vije në rritje me rritjen e standardit dhe rritjen e kostos së jetesës. Meqenëse Kosova ka qenë në një fazë të rritjes graduale ekonomike, një trendi pozitiv, flas para pandemisë atëherë është e natyrshme rritja e pagës minimale që do të krijonte një mirëqenie më të mirë sociale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Janë disa kritere të cilat duhet merren për bazë sa i përket përcaktimit të pagës minimale dhe besoj se janë krijuar kushtet që paga minimale të rritet mbi nivelin që është tani, marrë parasysh që edhe kostoja e punës është rritur në tregun e punës”, është shprehur ai.
Sipas Ahmetit, Kosovës i duhet një treg i formalizuar, pasi që ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve që punojnë pa kontrata dhe pa mbrojtje të duhur ligjore.
“Është shumë e rëndësishme të kemi një treg të punës të formalizuar, besoj që pothuajse që pjesa dërmuese e tregut te punës të formalizohet pasi që ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të cilët punojnë pa kontrata dhe nuk e kanë as mbrojtjen minimale ligjore karshi punëdhënësit të tyre”, ka shtuar ai.
Ndërsa njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj deklaron se ai përkrah rritjen e pagës minimale. Miëpo, sipas tij pagat në sektorin privat është më e vështirë të rriten.
“Vlerësoj që Qeveria aktuale duhet të ketë në fakt prioritet daljen nga pandemia duke vaksinuar qytetarët dhe rimëkëmbja ekonomike Në momentin që fuqizohet biznesi në Kosovë në njëfarë mënyrë nuk ka nevojë që të rritet paga minimale për faktin se vet fuqia e biznesit e dikton të rritet paga minimale. Në sektorin publik është shumë lehtë që të rritet paga minimale por në sektorin privat është diçka tjetër sepse e dikton fuqia ekonomike e secilit biznes. Parimisht jam që të rritet paga minimale për faktin se në Kosovë edhe me 500 euro nuk mund të kalojë muajin një familje por për faktin që ekonomia e tregut nuk njeh ligjet arbitrare por thjesht është konkurrencë dhe fuqia ekonomike e cila dikton nivelin e rritjes së pagës” ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/