image Njihuni me ushqimet për agjërim sa më të shëndetshëm gjatë ramazanit

Këshilla

Njihuni me ushqimet për agjërim sa më të shëndetshëm gjatë ramazanit

news image

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit Iftarin dhe vaktin para lindjes së diellit Syfyrin. Kur vendosni se çfarë të konsumoni gjatë Ramazanit, mos harroni se Iftari dhe Syfyri ndihmojnë në mbajtjen e agjërimit tuaj përgjatë ditës.

Kështu që konsumimi i ushqimit dhe i sasisë së duhur, por gjithashtu edhe hidratimi janë të rëndësishëm për një agjërim të shëndetshëm. Bazuar në këshillat e dietologëve në Departamentin e Dietologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Singaporit, ju sugjerojmë disa këshilla për një agjërim të shëndetshëm.

Mos e shmangni Syfyrin

Thuhet se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe gjatë Ramazanit ky vakt bëhet edhe më i rëndësishëm. Prandaj ju nuk duhet të shmangni Syfyrin vetëm për të bërë disa orë gjumë më tepër. Trupi juaj mbështetet në këtë vakt për t’ju siguruar të gjitha lëndët ushqyese dhe energjinë e mjaftueshme deri në Iftar. Për shkak të orëve të gjata të agjërimit, ka shumë mundësi të ndiheni të dehidratuar dhe të lodhur gjatë ditës. Për më tepër, shmangia e Syfyrit ju bën të konsumoni më tepër gjatë Iftarit. Gjë që mund të shkaktojë shtim jo të shëndetshëm në peshë

Mos e teproni me ushqimin gjatë Iftarit

Iftari duhet të jetë një vakt i ekuilibruar dhe ushqyes, por jo një festë! Nuk është e pazakontë që agjëruesit të shpërblejnë veten me gatime të shijshme por shumë të yndyrshme ose me gatime me shumë sheqer. Edhe pse këto ushqime ju bëjnë të ndiheni mirë në një periudhë afatshkurtër, ato mund ta vështirësojnë agjërimin ditën tjetër. Në vaçanti konsumi i tepërt i ushqimeve me shumë yndyrë, mund të ngadalësojë procesin e tretjes dhe çojë në shtim të peshës.

Përveç shtimit në peshë, konsumimi i tyre shkakton plogështi dhe lodhje. Ju gjithashtu duhet të kufizoni marrjen e kripës, veçanërisht gjatë Syfyrit, pasi kjo shton etjen. Për të pasur një vakt sa më të shëndetshëm, provoni të përfshini ushqime nga të gjitha grupet kryesore të ushqimit. Si frutat, perimet, orizi, buka integrale, produktet e qumështit me pak yndyrë dhe gjithashtu mishin e pulës dhe peshkun. Konsumimi i ushqimeve të pasura në fibra gjatë Ramazanit është ideal, pasi ato treten më ngadalë sesa ushqimet e përpunuara. Në këtë mënyrë ju do të ndiheni të ngopur më gjatë.

Konsumoni sa më shumë ujë të jetë e mundur

Konsumi i ujit ndërmjet Iftarit dhe Syfyrit, zvogëlon rrezikun e dehidrimit gjatë agjërimit. Përpiquni të pini të paktën 8 gota ujë ose lëngje çdo ditë para agimit dhe pas perëndimit të diellit. Ato mund të jenë qumësht, lëngje frutash dhe supë, por uji është zgjedhja më e mirë. Ju gjithashtu duhet të eleminoni pijet me kafeinë, pasi ato kanë një efekt diuretik dhe nxisin humbjen e lëngjeve.

/GazetaSinjali/