Njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” është rikthyer me sukses në operim dhe është sinkronizuar me sistemin elektroenergjetik rreth orës 10:00 të mëngjesit, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Sipas KEK-ut, rikthimi i njësisë është bërë pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës dhe përfundimit me sukses të aktiviteteve të tjera teknike.
KEK theksoi se njësia është rikthyer në prodhim falë “angazhimit të jashtëzakonshëm, profesionalizmit dhe përkushtimit të punonjësve dhe stafit teknik të TC Kosova A, të cilët punuan pa ndërprerje për rikthimin e saj në operim në kohë rekord”.
“Aktualisht, njësia operon në gjendje stabile, ndërsa kapacitetet e saj prodhuese tashmë janë nominuar në sistem, duke forcuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe stabilitetin e sistemit energjetik të vendit. Ky sukses dëshmon edhe një herë ekspertizën, përvojën dhe gatishmërinë e ekipeve profesionale të KEK-ut për të adresuar me efikasitet sfidat operative dhe për të garantuar funksionim të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të kapaciteteve gjeneruese të Korporatës”.
Paralelisht me operimet e përditshme, KEK njoftoi se po vazhdon zbatimin e projekteve të mëdha investive në sektorin energjetik.
Sipas korporatës, aktualisht po zhvillohet “me sukses zbatimin e programit më të madh investiv në sektorin energjetik në katër dekadat e fundit, me projekte strategjike në vlerë prej qindra milionë eurosh”.
“Këto investime përfshijnë modernizimin e njësive B1 dhe B2 në TC Kosova B, avancimin e procedurave për fillimin e projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të thellë të njësisë A3 në TC Kosova A, si dhe zhvillimin e projektit të parkut solar me kapacitet prej 100 MW. Përmes këtyre investimeve, KEK po ndërton kapacitete më moderne, më efikase dhe më të qëndrueshme, duke forcuar sigurinë energjetike të Kosovës dhe duke krijuar bazat për një të ardhme energjetike më të gjelbër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme për qytetarët”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!