image Njëri nga tre mjekët e arrestuar në Prizren është xhaxhai i deputetes, Albena Reshitaj

Siguri

Njëri nga tre mjekët e arrestuar në Prizren është xhaxhai i deputetes, Albena Reshitaj

news image

Tre mjekët e Spitalit Rajonal në Prizren, Sami Reshitaj, Gazmend Sylejmani dhe Fisnik Sinani, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj një pacienteje e cila kishte shkuar në repartin e Gjinekologjisë për të kryer lindjen. Foshnja që u lind, ndërroi jetë pak minuta pasi erdhi në këtë botë dhe sipas prindit, kjo ndodhi për shkak të neglizhencës së mjekëve, raporton Gazeta Sinjali.

Në mesin e të arrestuarve është edhe anesteziologu, Sami Reshitaj, i cili është xhaxhai i deputetes së Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj.

Reshitaj bashkë me kolegët e tij, dr.Fisnikun dhe dr.Gazmendin, po dyshohen se nuk i kanë dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore gruas e cila ishte në pritje të fëmijës së saj.

E ndaj gjinekologut, Gazmend Sylejmani, Gjykata Themelore në Prizren në vitin 2018 kishte shpallur aktgjykim dënues, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë për marrje ryshfeti.  Atij i ishte shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 1 mijë e 700 eurove.

Gazeta Sinjali mbrëmë ka kontaktuar me shefin e repartit të Gjinekologjisë në Prizren, Sabajdin Gjini, por i njëjti ka refuzuar të prononcohet, duke thënë se me rastin tashmë po merren organet e hetuesisë.

S’muj me dhanë deklarata, se ajo ka ndodh herët në mëngjes. Merret tash Prokuroria. Nuk jam për prononcime. Merret hetuesia, foshnja është çu në obduksion, ekspertizën mjekoligjore, ka kush merret me këtë çështje”, tha Gjini për Sinjalin.

Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.

Shënim: Personat  e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/