image Njëri doganier dënohet me 6 muaj burgim për korrupsion, tjetri lirohet

Drejtësi

Njëri doganier dënohet me 6 muaj burgim për korrupsion, tjetri lirohet

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv doganierin Artan Ferati, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa ka liruar nga akuza doganierin Besnik Beshi, i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të premten, nga gjykatësja e rastit Alltëne Murseli.

Gjykatësja Murseli tha se dënimi me burgim prej 6 muajsh ndaj të akuzuarit Ferati mund të zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3 mijë euro, me pëlqimin e të njëjtit.

Sa i përket të akuzuarit Beshi, e njëjta tha se gjykata ka marrë aktgjykim lirues, pasi që nuk ka prova se i njëjti ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe se shpenzimet procedurale për të njëjtin do të bien në barrë të gjykatës.

Ndërkaq, i akuzuari Ferati obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 100 euro dhe në emër të fondit të viktimave shumën prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me të pandehurit Beshi dhe Ferati janë akuzuar edhe avokati Xhevdet Rama dhe punëtori i kompanisë “Bashkimi”, Avdullah Latifi, për të cilët, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur mes tyre dhe prokurorisë.

Më 22 mars 2019, Rama ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, i cili dënim ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2 mijë e 500 euro.

Kurse, i akuzuari Latifi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Edhe dënimi me burgim ndaj tij është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro.

Përveç tyre, të akuzuar kishin qenë edhe Flamur Hoti e Selatin Krasniqi. Hoti akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve. Ndaj të njëjtëve, ishte hudhur poshtë aktakuza dhe kishte pushuar ndjekja penale.

/GazetaSinjali/