image Një vit nga vdekjet e dyshimta në Infektivë, Prokuroria ende s’i ka mbyllur hetimet

Shëndetësi

Një vit nga vdekjet e dyshimta në Infektivë, Prokuroria ende s’i ka mbyllur hetimet

news image

Në të gdhirë të 5 korrikut 2020 gjashtë pacientë humbën jetën në një periudhë të shkurtër kohore në Klinikën Infektive në Prishtinë ndërsa po kuroheshin nga COVID-19. Nesër bëhet një vit nga ajo ngjarje, por Prokuroria ende nuk ka përfunduar hetimet. Dyshimet e para për këtë ngjarje të rëndë ishin tek mosfunksionimi i sistemit të oksigjenit të Infektivës, transmeton Gazeta Sinjali.

Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishte nisur menjëherë hetimet. Zyrtarja për informim pranë këtij institucioni, Laureta Ulaj, ka thënë se hetimet për këtë rast ende nuk kanë përfunduar.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda ende nuk i ka përfunduar hetimet lidhur me këtë rast, prandaj vazhdon të jetë në procedurë hetimore”, tha ajo për KP.

Kurse Qeveria e re e Kosovës është zotuar se do të ndriçohen rrethanat e këtyre vdekjeve. Ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili në kohën kur ka ndodhur ngjarja ishte në opozitë, deklaroi se është i informuar se procesi hetimor është duke vazhduar.

Ai premton se do të ketë drejtësi për të gjashtë viktimat e korrikut.

“Me sa di dhe me sa jam i informuar kjo është çështje që është në proces dhe natyrisht që organet e drejtësisë e kanë edhe rrjedhën e vetë të rasteve dhe unë jam shumë i sigurt që janë duke u marrë me këtë çështje, dhe jam i sigurt se çfarëdo problemi që të ketë ndodhur drejtësia do vihet në vend”, tha Vitia.

Xhafer Fazliu, 70-vjeç, nga Mitrovica ishte një nga viktimat e asaj nate. Ai ishte shtrirë të mërkurën e 1 korrikut dhe fëmijët e tij po prisnin që të lirohej nga spitali të hënën. Ata ishin tronditur kur të dielën në mëngjes morën lajmi se i ati nuk jeton më.

E bija, Arbënorja, e cila jeton në Suedi, thotë se duan të kuptojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur. Ajo thotë se babai i saj përkundër që ishte i moshuar nuk kishte ndonjë sëmundje shoqëruese.  Fazliu kritikon edhe institucionet se kanë luajtur me trupin e babait të saj dhe ndjenjat e tyre si familjarë.

Aty ka qenë diçka sepse unë kam qenë 24 orë në Infektivë, vëllai dhe unë kemi qenë të dy tërë kohën, neve na thoshin se po bënë mirë e të hënën del (nga spitali), kur të dielën na kanë thënë që ka vdekur. Jemi shokuar me të thënë të drejtën sepse nuk e kemi pritur sepse të mërkurën është shtrirë dhe të dielën ka vdekur. Si fëmijët e tij asgjë nuk po kërkojmë diçka të madhe, vetëm duam ta dimë a ka ndodhur njëmend që i është ndalë oksigjeni a çka është në pyetje sepse me ta marr trupin pesë ditë, mos ta lejojnë ta varrosësh, jo sot dhe jo nesër, ajo nuk ka qenë lojë jo, këta kanë luajtur me ndjenjat tona që kemi qenë familjarë, me trupin e tij kanë luajtur siç kanë dashur, këta kanë luajtur por për ne ka qenë dhimbje shumë e madhe”, tha ajo.

Arbënorja thotë se së shpejti do të vijë në Kosovë dhe do të trokasë në dyert e të gjitha institucioneve për të kërkuar drejtësi për vdekjen e babait.  Nga Mjekësia Ligjore ajo tha se kanë pranuar vetëm një letër ku thuhet se babai i saj ka qenë i prekur nga COVID-19, por nuk përmban detaje të tjera.

Shoqata e Pacientëve të Kosovës është e zhgënjyer me neglizhencën e Prokurorisë për këtë rast. Kryetari i kësaj shoqate, Besim Kodra, thotë se nuk është e drejtë ndaj familjarëve që presin përgjigje për shkakun e vdekjes se të afërmve të tyre.

Sipas tij, një vit më vonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës duhet të kishte ngritur akuzat apo të paktën të sqaronte se ngjarja nuk ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë njerëzore.

Për ne ka qenë një ngjarje mjaftë trishtuese fakti se kemi dyshime se veprimet njerëzore kanë mundur të shkaktojnë vdekjen e pacientëve dhe kjo është diçka që të vjen keq dhe unë kam pritur që deri më tani të paktën të kemi diçka konkrete, të paktën të kemi një aktakuzë apo diçka nëse dikush vërtetë është fajtor. Mungesa e një aktakuze apo një vendim për lirim të akuzës, nëse veç nuk ka ndodhur si rezultat i veprimeve njerëzore, për neve është njëlloj neglizhence, apo zvarritje e këtij procesi, i cili nuk është i drejtë as për familjarët e viktimave pasi që ata kanë të drejtë të dinë se a kanë vdekur nga veprimet njerëzore ose jo. Në anën tjetër nuk është njerëzore as për personat që mund të jenë potencialisht të akuzuar për shkak se edhe ata mund të jetojnë në gjendje ankthi e ndoshta mund të mos kenë faj”, ka thënë Kodra.

Pas ngjarjes së rëndë të 5 korrikut 2020, opozita e atëhershme kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Por, vet Ministria e Shëndetësisë, në një reagim, kishte kërkuar që të priten rezultatet e hetimit, të cilat edhe sot pas një viti ende nuk dihen. /Gazeta Sinjali/