Aksioni i Antidrogës për arrestimin e një personi në parkingun përballë qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë u përcollë me incidente. Policia dyshohet se shtiu me armë zjarri, ndërkohë që dy persona arritën të iknin nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se teksa të dyshuarit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, për t’iu shpëtuar prangave të Policisë, një zyrtare policore është lënduar.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për K.I., me gradën e rreshterit (emër i njohur për redaksinë), e cila ka marrë lëndime në këmbë si pasojë e goditjes nga vetura.
Të njëjtat burime thonë se fatmirësisht lëndimet janë të lehta dhe nuk bëhet fjalë për lëndime serioze.
Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës në lidhje me rastin mirëpo deri në publikimin e artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.
Sinjali do të iu mbajë të informuar.