Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, më 29 qershor 2026, rreth orës 11:45, zyrtarët policorë të SPB Shtip e privuan nga liria T.A. (39), nga Shtipi, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Rasti ishte denoncuar më 22 qershor nga K.B. (26), shtetas i Turqisë me qëndrim të përkohshëm në Shtip dhe student në Universitetin “Goce Dellçev”. Sipas kallëzimit të tij, profesoresha i kishte kërkuar 300 euro për ta kaluar në provimin që ishte caktuar të mbahej më 29 qershor.
Pas denoncimit, policia ndërmori veprime në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Shtipit. Studentit iu dhanë tre kartëmonedha nga 100 euro, të cilat ishin përpunuar me metoda krimoteknike për dokumentimin e rastit.
Sipas MPB-së, zyrtarët policorë e arrestuan profesoreshën menjëherë pasi ajo pranoi paratë nga studenti. Shuma e parave u sekuestrua si provë materiale, ndërsa e dyshuara u dërgua në stacion policor.
Autoritetet njoftuan se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj T.A. do të parashtrohet kallëzim penal për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!