image Një Olimpiadë si asnjë tjetër

Sporte të tjera

Një Olimpiadë si asnjë tjetër

news image

Lojërat Olimpike nisin sot në Tokio me një ceremoni të vogël të hapjes, pasi qyteti vazhdon të luftojë me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Ceremonia do të nisë në orën 20:00 sipas kohës lokale dhe nuk pritet të jetë madhështore si në të kaluarën, marrë parasysh gjendjen e pandemisë, e cila ka lënë të vdekur mbi katër milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka prekur mbi 192 milionë.

Organizatorët nuk kanë publikuar detaje në lidhje me shfaqjen, por kanë thënë se rregullat e rrepta të koronavirusit nënkuptojnë që vetëm 950 njerëz do të jenë në Stadiumin Olimpik, i cili ka kapacitet për 68,000 vetë.

Sipas organizatorëve, vetëm rreth 15 udhëheqës globalë do të jenë të pranishëm.

Ata kanë vendosur dy javë më parë që të ndalojnë gati plotësisht pjesëmarrjen e spektatorëve në ngjarjet olimpike, pasi në Tokio është shpallur gjendje e re e jashtëzakonshme, në përgjigje të rasteve në rritje të koronavirusit.

Lojërat Olimpike Verore 2020, të cilat janë shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, janë përcjellë nga një seri e shkarkimeve të zyrtarëve olimpikë.

Shkarkimi i fundit ka qenë ai i drejtorit të ceremonisë së hapjes, Kentar Kobayashi, i cili, sipas disa pamjeve nga vitet 1990, që kanë dalë në publik së voni, ka bërë shaka me Holokaustin, shkruan rel.

Shefja e Olimpiadës, Seiko Hashimoto, ka njoftuar të enjten për shkarkimin e tij, duke thënë se videoja ku është shfaqur Kobayashi “përqesh fakte të dhimbshme të historisë”.

Kobayashi, ish-aktor komik, ka thënë përmes një deklarate se e kupton që “zgjedhja e tij e fjalëve në atë kohë ishte e gabuar” dhe ka shprehur pendesë për veprimin.

Një pjesë muzikore katërminutëshe, që ka kompozuar ai, është hequr nga ceremonia, por vendimi për të shkarkuar Kobayashin nuk do të ndikojë në ceremoni, kanë thënë organizatorët.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, është përpjekur t’i zbusë shqetësimet se Lojërat Olimpike mund të rrisin numrin e rasteve me koronavirus.

Lojërat do të përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike.

/GazetaSinjali/