image Një muaj pas lindjes, urdhërohet të kthehet në punë

Kosovë

Shqetësuese/ Një muaj pas lindjes, urdhërohet të kthehet në punë

news image

Në vitin 2017, Q.A. kishte filluar punën në një kompani private në Kosovë. Ani pse kontrata e punës i skadonte në vitin 2019, puna i zgjati deri në korrik të vitit 2018, kur ajo ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.

Dhjetë ditë para se të lindte, ajo kishte marrë pushim nga puna, me mendimin për t’u kthyer disa muaj më vonë, pas pushimit të lehonisë. Por, një gjë e tillë  nuk iu mundësua.

Në një rrëfim për Sinjalin, ajo ka treguar se si e humbi punën për shkak të pamundësisë për pushimit të lehonisë.

“Unë  kam punuar deri në muajin e nëntë të shtatzënisë,  pra e kam ndërprerë punën 10 ditë para se me lindë beben. Pushim kam marrë pas lindjes por nuk më është paguar, kanë kërkuar nga unë të kthehem në punë pasi beba i bëri një muaj, por për mua ishte e pamundur sepse ende nuk isha rikuperuar nga dhimbjet” ka treguar Q.A. për Sinjalin, në kushte anonimiteti.

Tutje, ajo  kishte insistuar që ta merrte pushimin e lehonisë për gjashtë muaj. Sipas saj, punëdhënësi ishte pajtuar që t‘i jepte pushim për ketë periudhë por pa pagesë, ani pse në raste të tilla, pagesa i takon me ligj. Q.A. ishte pajtuar që ta merrte pushimin e lehonisë pa pagesë, por kishte kërkuar që të paktën t’i paguhej trusti dhe të kishte mundësi të kthehej në punë pas pushimit të lehonisë.

“Kur kam këqyrë, nuk është paguar as trusti. I kam shkruar, kam kontaktuar me ta, më kanë thënë ‘jemi në  procedurë, gjithsesi do ta kryejmë para se të vijë koha për kompensimin prej shtetit që na takon gjatë pushimit të lehonisë. U bënë gjashtë muaj… Se pas gjashtë muajve d.m.th. punëdhënësi nuk e ka më obligim ta paguajë pushimin e lehonisë. I kam shkruar prapë (punëdhënësit), kanë thënë jo, edhe e lashë”, ka rrëfyer ajo.

Pasi nuk mori pagesë as nga puna e as nga shteti, shtatë muaj pas lindjes ajo kërkoi, të paktën, që të kthehej në vendin e punës. Sipas saj, në kompaninë ku punonte i kishin thënë se do ta lajmëronin pas një muaji. Q.A. kishte pritur me durim edhe një muaj, dhe më pas e kishte kontaktuar përsëri punëdhënësin i cili i kishte thënë se nuk mund ta kthente në punë për shkak të disa problemeve.

“Unë pas muajit të gjashtë të lindjes kam kërkuar të rikthehem në punë, por nuk më është mundësuar”, ka treguar ajo.

Dhe sot e kësaj dite, Q.A është e papunë, një e drejtë kjo që iu mohua për shkak se u bë nënë.

Megjithëse i njihte të drejtat e saj ligjore, ajo nuk e paraqiti këtë rast në Inspektoratin e Punës e as në ndonjë institucion tjetër.

“Jo, nuk jam ankuar, sepse gjatë kohës sa kam punuar aty, kam kaluar mirë, kam pasur raporte të mira me kolegët, me shefin, me të gjithë. Por pastaj kjo koha pas lindjes, nuk e di çka ndryshoi… Tash për hir të asaj kohe kam përtuar t’i ndjek procedurat, sepse plot njerëz më kanë thënë duhet t’i padisësh, ke të drejtë, po e lashë edhe atë”, tregon ajo.

Megjithatë, nëse do të përballej me një situatë të tillë në të ardhmen, Q.A. thotë se do të ta paraqiste rastin.

Sipas  Ligjit të Punës, gratë e kanë të drejtën e pushimit të lehonisë deri në 12 muaj.

Në bazë të nenit 49 të këtij ligji, punëdhënësi duhet ta paguajë të punësuarën me 70% të pagës për gjashtë muajt e parë të lehonisë. Tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë duhet të paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë. Po ashtu, e punësuara ka të drejtë të kërkojë edhe tre muaj shtesë pushim, por pa pagesë. Por siç tregon Q.A., asaj nuk iu mundësua kjo e drejtë, ani pse është e garantuar me ligj.

Gratë nuk i raportojnë rastet e mohimit të pushimit të lehonisë

Në institucionin e Avokatit të Popullit, mohimi i pushimit të lehonisë për gratë, përbën shkelje ligjore të të drejtave të njeriut. Megjithatë, në këtë institucion rrallë pranojnë ankesa për raste të tilla. Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Edona Hajrullahu, ka konfirmuar për Sinjalin se nga fillimi i vitit 2019, është paraqitur vetëm një rast që ka pasur të bëjë me shkeljen e të drejtës së lehonisë i cili sipas saj, është zgjidhur.

“Kur vinë palët, të cilat ankohen te ne si institucion, atëherë patjetër ne i referojmë pikë së pari te autoritetet që do të duhej ta trajtonin çështjen. Për shembull, nëse gruaja ka kontratë të punës në sektorin privat, që mbulohet me Ligjin e Punës, atëherë mekanizmi si instancë e dytë për ankesë, është Inspektorati i Punës”, ka thënë Hajrullahu.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe ushtruesin e detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci, cili ka thënë se në Inspektoratin e Punës nuk drejtohen ankesa për gratë të cilave nuk iu paguhet pushimi i lehonisë. Gjatë periudhës janar-maj 2019, inspektorët e IP-së nga terreni kanë raportuar vetëm për dy raste kur grave të punësuara u është bërë shkelje gjatë pushimit të lehonisë.

Ndërsa gjatë vitit 2018, sipas raportit zyrtar të IP-së, Leci ka thënë se janë regjistruar 11 raste të tilla.

 “Në cilësinë e kryeinspektorit të punës, dua t’i ftoj të gjitha gratë të cilave u shkelen këto të drejta dhe jo vetëm, që të lajmërohen në Inspektoratin e Punës, dhe ne garantojmë që do t’iu respektohen të drejtat. Mirëpo, për rastet për të cilat as ato nuk ankohen dhe as ne nuk i hasim, sepse nuk ka mundësi as objektive ta dimë çdo shkelje që bëhet diku, nuk kemi çfarë të bëjmë. Por për të gjitha rastet që ne marrim vesh që po shkelen këto të drejta te lehonat, jemi të kujdesshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, në të gjitha rastet kur nuk janë respektuar këto të drejta, Inspektorati i Punës i ka obliguar (punëdhënësit) t’i respektojë dhe ka marrë masat përkatëse ligjore. Megjithëse nuk ka përmendur cilat kanë qenë dënimet konkrete.

“Personi fizik ose personi juridik që nuk i përfill dispozitat e këtij ligji, në procedurë ligjore,  do të dënohej me të holla prej njëqind (100) deri në dhjetëmijë (10.000) euro”, thuhet në pikën e parë të nenit 92 të Ligjit të Punës.

Leci po ashtu ka theksuar se në IP numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm, e rrjedhimisht as numri i inspektimeve.

Kërkohet që pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti

Duke parë situata të ngjashme, nga Oda e Afarizmit të Kosovës konsiderojnë se gratë janë të diskriminuara për shkak të ligjit të punës.  Në këtë mënyrë, ata kanë kërkuar që pushimi i lehonisë për gratë të mbulohet 100% nga shteti.

Qëndresa Ibrahimi, koordinatore në OAK, ka thënë për Sinjalin, se nataliteti është   me interes kombëtar dhe se shteti duhet të krijojë ligje të favorshme për punësimin e grave. Këtu, ajo ka theksuar edhe faktin se vitet e fundit ka rënë numri i lindjeve në Kosovë.

“Nëse një e punësuar e ka pagën 1000 euro, biznesi detyrohet ta paguajë 70% të rrogës,  që i bie nga 700 euro për gjashtë muaj me radhë, ndërsa shteti për tre muajt në vazhdim e paguan rreth 220 euro për muaj, për shkak se është 50% e pagës mesatare në Kosovë. Dhe një diferencë e tillë e bën më të vështirë që një nënë e re të vazhdojë të qëndrojë (në shtëpi) dhe të përkujdeset për fëmijën e saj, por duhet të kthehet në punë, sepse paga të cilën e merr është shumë e ulët dhe mbase nuk mund ta përballojë bashkë me fëmijën”, sqaron Ibrahimi.

Ajo thotë se nëse pushimin e lehonisë do ta paguante shteti, gratë do ta kishin më të sigurt vendin e punës, sepse barra e rrogës së dyfishtë nuk do të binte mbi biznesin.

“Ne i kemi analizuar vendet e rajonet, e kemi parë që në të gjitha vendet e rajonit, madje edhe në Shqipëri, pushimi i lehonisë mbulohet 100% prej shtetit, prej fondit të cilin e kanë krijuar për këtë gjë. Në këtë formë bizneset nuk detyrohen t’i paguajnë dy paga, për shkak se në momentin që një e punësuar shkon në pushimin  e lehonisë, duhet ta punësojnë dikë tjetër në vend të saj, dhe në këtë formë po krijohet ndoshta një “barrë” për biznesin, pra që të paguajë dy paga për një vend pune”, ka thënë Ibrahimi.

Së shpejti, një ligj i veçantë për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror

Tashmë është në shqyrtim një projektligj i ri i punës ndërsa për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror është paraparë një ligj i veçantë.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ka thënë se ende nuk e kanë marrë këtë projektligj nga MPMS, megjithatë, ka një treguar se pse ky ligj është menduar të jetë i veçantë. 

“Arsyeja që është ndarë (ky ligj), se edhe ne e kemi pyetur ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilin herë pas here e kemi në komision në raportim, ka qenë sepse projektligji aktual i pushimit të lehonisë dhe pushimit prindëror, iu mundëson edhe grave të cilat nuk punojnë, të marrin një beneficion gjashtë mujor nga shteti… Është një shumë që nuk është përcaktuar ende, po llogaritet që të jetë ndoshta sa paga minimale”, ka thënë Baftiu.

Baftiu është e mendimit se pushimin e lehonisë për gratë duhet ta mbulojë shteti.

“Personalisht për t’i mbështetur gratë që lindin, edhe ndoshta mos të jenë barrë e bizneseve  të vogla, përjashto këto bizneset e mëdha të cilat mund t’ia dalin, po bizneset e vogla po i kuptoj se nuk mund t’ia dalin, dhe në këtë drejtim unë jam që shteti t’i përkrahë gratë dhe gjashtë mujorin e parë ta paguajë shteti”, ka thënë ajo.

Sipas këtij projektligji, të cilin gazeta Sinjali e ka marrë nga faqja e Kryeministrisë, bizneseve pritet t’u lehtësohet “barra” për pagesën e lehonisë.

Pra, në rast se një grua shkon në pushim të lehonisë, punëdhënësi obligohet që t’ia paguajë 70% të pagës për tre muajt e parë. Kurse gjashtë muaj në vazhdim, pushimin pritet t’ia kompensojë qeveria, me 50% të pagës mesatare në Kosovë.

Kurse pushimi i atësisë në rast të lindjes së fëmijës, në Ligjin aktual të Punës është dy ditë me pagesë, kurse sipas projektligjit të ri,  pritet të jetë deri në 10 ditë pushim me pagesë.

Ndër të tjerash, ky projektligj rregullon edhe pushimin prindëror, i cili do t’u takojë të dy prindërve, dhe do të mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë deri në ditën kur fëmija mbush dy vjet.

Gjithmonë sipas projektligjit në fjalë, pushimi prindëror është e drejta individuale e barabartë e burrit dhe gruas për pushim me kohëzgjatje prej të paktën katër (4) muajsh dhe mund të merren në të njëjtën kohë nga të dy prindërit./Sinjali/