Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që t’i caktojë një muaj paraburgim ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq, i dyshuar për sulm seksual ndaj një gruaje në Pejë.
Sipas njoftimit, Baliqi dyshohet se ka prekur pa pëlqimin e saj viktimën në zyrën e kujdestarisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
“Më datë 12.08.2020, në Spitalin Përgjithshëm në Pejë, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës e cyt të njëjtën që ta prekë me qëllim seksual pa pëlqimin e saj”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Sinjali.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.B, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se: Më datë 12.08.2020, në Spitalin Përgjithshëm në Pejë, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës e cyt të njëjtën që ta prekë me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që natën kritike e dëmtuara duke qenë nënë dhe shoqëruese e foshnjës së hospitalizuar, aty vjen i pandehuri në cilësi të mjekut kujdestar dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë për t’u konsultuar, e dëmtuara shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e mbyll derën e zyrës, i afrohet dhe e prekë pa pëlqimin e saj por që viktima arrin të largohet dhe të kërkojë ndihmë. /Gazeta Sinjali/