image Një muaj më parë u prangos Kushtrimi, tani në pranga të Policisë për kontrabandim me migrantë edhe vëllai i tij Urim Elezkurtaj, pronar i 'Mir Tours'

Siguri

Një muaj më parë u prangos Kushtrimi, tani në pranga të Policisë për kontrabandim me migrantë edhe vëllai i tij Urim Elezkurtaj, pronar i ‘Mir Tours’

news image

Një hetim disa mujor kundër kontrabandimit me emigrantë rezultoi me identifikimin e trafikantëve të dyshuar, të cilët ranë dje në prangat e Policisë, gjatë një aksioni të koduar si “Shkoza”. Gjatë këtij aksioni u sekuestruan edhe 3 autobusë, vetura, telefona, armë e municion. 17 nga 18 të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërkaq njëri është liruar.

Në mesin e personave të dyshuar për kontrabandim me emigrantë janë edhe dy vëllezër nga Prizreni. Njëri u arrestua gjatë ditësh së djeshme, teksa tjetri është kapur në flagrancë para një muaji.

Kush janë dy vëllezërit Elezkurtaj që kanë hyrë në telashe me shtetin?

Sinjali mëson se dy vëllezërit e dyshuar për kontrabandim me emigrantë janë Urim dhe Kushtrim Elezkurtaj. Urimi është arrestuar gjatë aksionit të djeshëm të Policisë, i cili po dyshohet se bashkë me të dyshuarit e tjerë të ndaluar, që nga marsi kanë kontrabanduar rreth 700 shtetas të huaj kryesisht aziatikë, të cilët ndihmonin ata që përmes rrugëve ilegale të kalojnë në shtetet perëndimore.

Emigrantët që hynin nga Shqipëria në Kosovë përmes rrugëve malore, fillimisht strehoheshin në shtëpitë e personave të dyshuar që u arrestuan, e më pas nga Prizreni transportoheshin fshehtas në kalimin kufitar në Jarinjë, prej ku kalonin në territorin e Serbisë.

Urimi i cili po dyshohet lidhur me këtë rast është ndaluar për 48 orë dhe së shpejti pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Ai është pronar i kompanisë ‘Mir Tours’.

Kushtrimi, vëllai i Urimit ishte zbuluar nga Policia para një muaji

Kushtrim Elezkurtaj, vëllai i Urimit që u kap dje nga Policia ishte arrestuar në fillim të korrikut, në fshatin Gjuricë të Malishevës, saktësisht në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, teksa po kontrabandonte 34 shtetas të Sirisë.

Sirianët që u gjetën në furgonin e tij, dyshohet se  në mënyrë të organizuar kanë ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia, ku atje secili prej tyre ka paguar një shumë parash me qëllim udhëtimi përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Kosovës deri në Serbi e më pas në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropia

Ndryshe, Kushtrimit i ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Detajet për mega-operacionin e djeshëm i gjeni në linqet e mëposhtme.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/