Virusi vdekjeprurës ‘koronavirus’ ka infektuar edhe futbollin në Itali. Sipas “La Nazione”, koronavirusi që ka marrë me mijëra jetë njerëzish në të gjithë botën, ka infektuar një lojtar të klubit Serie C të Italisë në futboll, Pianese.
Identiteti i tij nuk është bërë i njohur, por bëhet fjalë për një lojtar që luan në provincën e Sienës. Futbollisti kishte simptoma të gripit dhe të mërkurën mbrëma ka rezultuar se është me koronavirus. Në të vërtetë simptomat e gripit ai i kishte shfaqur qysh fundjavën e kaluar dhe për këtë arsye nuk ishte aktivizuar në fushë.
Pas kësaj, ai u transferua në një ambulancë të veçantë në departamentin e sëmundjeve infektive të spitalit të Sienës. Mediat vendore raportojnë se futbollisti, pavarësisht se është infektuar nga koronavirusi, gëzon shëndet të mirë.
Klubi Pianese ka anuluar stërvitjen e të enjtes dhe po pret direktivat i Institutit Shëndetësor të Italisë.
Ndryshe, Italia është shndërruar në vatër të koronavirusit në Evropë pasi është vendi më i prekur nga virusi vdekjeprurës ku janë regjistruar 456 raste me të infektuar dhe të paktën 12 të vdekur./GazetaSinjali/