Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka protestuar sot kundër vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Tiranë.
Në deklaratën e tyre, qendra e Vetëvendosjes u shpreh se Vuçiq këtë herë do të duket si një bamirës në sytë e shqiptarëve, për shkak se do të shëtisë nëpër Shqipëri, e do të ndërmarrë nisma për t’i ndihmuar qytetarët pas tërmetit.
“Është një shfrytëzim i situatës së vështirë të shqiptarëve pas tërmetit”, shprehet LVV.
Ata e shohin Vuçiqin vetëm si një kriminel lufte që ka pasur post ministror në kohën e Millosheviqit dhe i cili deklaron se serbët nuk kanë kryer genocid në Kosovë.
Vuçiq do të vijë nesër në Shqipëri, ku do të qëndrojë edhe pasnesër për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.
Kjo është hera e dytë brenda një viti që Vuçiq vjen në Tiranë, pas pjesëmarrjes në samitin e Brdo-Brijunit, më 27 prill që u organizua nga presidenti Ilir Meta.