Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje në fshatin Jagodë të Klinës, ku treni i udhëtarëve në relacionin Pejë-Prishtinë është përplasur me një mjet pune, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:43, në rrugën Budisalc-Klinë, te vendkalimi i binarëve afër Kishës në fshatin Jagodë.
Sipas informacioneve, në aksident janë përfshirë treni dhe një rul rrugor, i cili po qarkullonte nga drejtimi i fshatit Jagodë për në Klinë.
Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur kur drejtuesi i rulit, Hil Selmanaj, nuk ka treguar kujdes gjatë kalimit në binarë. Në atë moment, treni që po qarkullonte nga Peja në drejtim të Prishtinës e ka goditur mjetin e punës.
Si pasojë e përplasjes, përveç dëmeve materiale, lëndime të rënda ka pësuar Avdullah Krasniqi.
Ai është dërguar fillimisht me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente, ndërsa rrethanat e aksidentit po hetohen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!