Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 10:00 në Gjakovë, ku një grua ka rënë nga ‘Ura e Fshajtë’ në lumin Drini i Bardhë, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se njësitë relevante janë në kërkim të viktimës.
“Rreth orës 10:00 kemi pranuar informatë se një person (femër e moshës madhore) ka rënë nga ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë. Të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Njësia për Kërkim Shpëtim. Në këto momente, edhe përkundër rrjedhës së madhe të ujit në lumë, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për gjetjen e viktimës”, tha Elezaj.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen edhe gjësendet e viktimës të cilat kanë mbetur tek Ura.
Sinjali do të iu mbajë të informuar.