Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vetëm një ditë pas pjesëmarrjes në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore në Kiev, i ka dërguar një letër urimi presidentit rus, Vladimir Putin, me rastin e “Ditës së Rusisë”, shkruan Gazeta Sinjali.
Në letrën që kanë publikuar mediat serbe, Vuçiq ka falënderuar personalisht Putinin për mbështetjen e Rusisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, duke theksuar rëndësinë jetike që ka kjo çështje për interesat shtetërore dhe kombëtare të vendit të tij.
“Besoj se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimi gjithëpërfshirës do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses”, shkruan ndër të tjera Vuçiq në letrën dërguar Kremlinit.
Ndërkohë, Komisioni Evropian e përshëndeti vizitën e Vuçiqit në Ukrainë, duke e cilësuar si “sinjal të rëndësishëm”, në një kohë kur qëndrimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë ka ngjallur reagime të ndryshme në Evropë.
Kujtojmë se presidenti serb ishte i pranishëm edhe në ceremonitë e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, duke u bërë një nga të paktët liderë evropianë që mori pjesë në këtë ngjarje, e cila u kritikua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!