Një burrë ka vdekur në vendin e tij të punës në Gjilan mëngjesin e sotëm.
Ai vdiq pasi kishte rënë në kontakt me rrymën, shkruan Sinjali.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit përmes një komunikate për media.
“Policia e Kosovës me urgjencë kanë dal në vend të ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se i ndjeri B.E. (1977) shqiptar shtetas i Kosovës , me banim në fshatin Ramjan komuna Viti, derisa ishte duke punuar në një objekt banesor, i cili ishte në ndërtim e sipër, në rrugën “Marie Shllaku”, në rrugën e Kamenicës, derisa kishte qenë duke e tërhequr një gyp, dyshohet se i njëjti kishte pasur kontakt me telin e rrymës së tensionit të lartë, me ç‘rast dyshohet se nga kontakti me rrymën edhe ka humbur jetën”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante nga Policia dhe prokurori i shtetit, KEDS-i, inspektorët e punës dhe mjeku kujdestar, i cili edhe ka konstatuar vdekjen e tij.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me vendim të prokurorit.
Rasti për momentin është cilësuar si ‘’Vdekje e dyshimtë’’. Ndërkaq Policia thotë se po e heton rastin. /Sinjali