Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka folur mbi raportet e koalicionit qeverisës në kohën kur kryeministri, Avdullah Hoti, ka vendosur për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë kundër vendimit të Hotit për task-forcën, e cila është parë si një sinjal që mund të çojë drejt prishjes së raporteve LDK-AAK.
Por, Daut Haradinaj ka përjashtuar mundësinë e prishjes së koalicionit, duke thënë se nuk ka probleme në raport me LDK-në, por se partia e Isa Mustafës duhet të reflektojë ndaj vërejtjeve të AAK-së.
“Ky koalicion do të vazhdojë, derisa të jetë stabil dhe kur të mos jetë stabil, nuk do të jetë. Ne kemi vërejtjet tona, por ato nuk duhet parë si një goditje për qeverinë, përkundrazi janë mesazh për të reflektuar që vendimet të merren me një unitet të përbashkët. Ne i kemi pasur qëndrimet shumë të qarta dhe kritikat kanë qenë për shuarjen e Task-Forcës, por për shembull ju e dini qeverinë amerikane që reagoi”, ka thënë Haradinaj në Kanal 10.
Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se koalicioni me LDK-në është arritur në bazë të parimit se nuk do të ketë kushte reciproke gjatë qeverisjes.
“AAK do të jetë pjesë e koalicionit deri në momentin nëse prishet ky koalicion. AAK është pjesë e vendimmarrjes, si për shembull, në procesin e arritjes së marrëveshjes në Washington dhe kjo nuk mund të komentohet si ndryshim kursi pa kushte në raport me LDK”, tha Nitaj.
Ai ka folur edhe rreth kandidaturës së Ramush Haradinajt për president, duke përsëritur se qeveria aktuale nuk do të bie nëse kreu i AAK-së nuk zgjedhet president, por sipas tij do të bie nëse nuk do të zgjedhet një kandidat konsensual për të parin e vendit./Gazeta Sinjali/