Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka deklaruar se kandidatura e Ramush Haradinajt, pa konsultim paraprak me partnerin e koalicionit qeverisës, nuk do të thotë se kjo parti ka mosbesim ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini ka thënë se çështja e presidentit është delikate në momentin aktual, për shkak të propozim-aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe skadimit të mandatit të këtij të fundit disa muaj më vonë.
“Nëse partitë politike nuk arrijnë konsensus për presidentin, vendi shkon në zgjedhje. AAK ka zgjedhur kandidatin e vet për president dhe mos prisni që deputetët e kësaj partie, derisa e kanë kandidatin e vet, ta votojnë një kandidat tjetër”, është shprehur Nitaj.
Ai ka bërë të ditur se AAK nuk do të shkelë marrëveshjen për koalicionin me LDK-në.
E nënkryetari tjetër i AAK-së, Ahmet Isufi tha se LDK-ja nuk është e interesuar për të mos i dhënë mbështetje Haradinajt për postin e presidentit, pasi partneri i koalicionit qeverisës e mban postin e kryeministrit. /Gazeta Sinjali/