Nisma Socialdemokrate po e përjashton kategorikisht koalicionin parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Valdete Bajrami, anëtare e kryesisë së Nismës gjatë ditës së sotme ka thënë se nuk mund të bëhet fjalë për një koalicion parazgjedhor me PDK-në. Ajo ka deklaruar se qëndrimi i kryetari të partisë Fatmir Limaj ka qenë që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje.
“Për vijat e kuqe, nuk flitet për koalicion me PDK-në. Qëndrimi i Limajt ka qenë që të japim mundësinë Nisma për të shkuar vetëm në zgjedhje. Koalicion parazgjedhor nuk do të ketë me PDK-në, ky është qëndrimi i tij”.
Më tutje ajo ka thënë se Nisma nuk ka pushuar as në festën e Kurban Bajramit për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen.
“Jemi në terren nuk ka pasur pushim. Kohëve të fundit jemi në terren. Dega e Gjilanit po fuqizohet, ka pasur aderim sikur në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, në të gjitha qytetet e mëdha”, ka thënë Bajrami në Klan Kosova.
“Vazhdimisht jemi në takim me anëtarët dhe kryesitë dhe mendimi i tyre është që të shkojmë vet në zgjedhje. Shumë palë zgjedhje kemi kaluar dhe kemi dalë më të fuqishëm çdoherë. Ka pas periudha që kanë dëshmuar se Nisma është faktor – Nisma është faktor pa të cilën nuk mund të merren vendime të mëdha. Në zgjedhjet e kaluara kemi pas tetë deputetë. Synimi ynë është të kemi dhjetë, por shpresoj që qytetarët të vendosin që ta bëjnë ndryshimin”, ka thënë ajo.
Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale. Kryetari i koalicionit fitues PAN, Kadri Veseli ka deklaruar se nuk do të ketë kandidat tjetër për postin e kryeministrit, por se vendi duhet të shkojë në zgjedhje./Sinjali/