image Nisin hetimet ndaj personit i cili e quajti prostitutë një të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës në Kosovë

Kosovë

Drejtësi/ Nisin hetimet ndaj personit i cili e quajti prostitutë një të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës në Kosovë

news image

Kanë nisur hetimet ndaj një personi i cili përmes rrjetit social Facebook ka ofenduar një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke e quajtur prostitutë, vetëm pse kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore ka njoftuar se ka kërkuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Kosovës, që të verifikojë llogarinë me emrin Patris Bond, në Facebook.

Kjo llogari menjëherë është mbyllur.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Prishtinë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se sot ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me artikullin e publikuar në portalin Indeksonline “E ulët sa ska më, komentuesi e quan të dhunuarën  kosovare të luftës si prositutë, veç pse i reagoi Albin Kurtit”.

Përmes rrjetit social “facebook”, një person nga profili i tij me emrin Patris Bondi e ka ofenduar rëndë një të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë, ashtu që sipas informatave të para zyrtare, profili me këtë emër është mbyllur dhe nuk figuron më në rrjetin social “facebook”, prandaj, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Njësinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Kosovës, që të verifikojë këtë llogari dhe të ndërmerr veprime hetimore në funksion të zbulimit dhe identifikimit të dyshuarit, po ashtu ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ngacmimi” nga neni 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./GazetaSinjali/