image Nisin hetimet ndaj ish-deputetit shqiptar

Shqipëri

Nisin hetimet ndaj ish-deputetit shqiptar

news image

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim pasuror ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako. Në këtë mënyrë krahas, procedimit penal në SPAK, ndaj Bllakos, po kryhen edhe verifikime për sa i përket pasurisë së tij.

Gazetari Ermal Vija raporton se në sitën e Prokurorisë së Posaçme, përveç sekuestrimit të apartamentit në pronësi të babait të ish-deputetit, në llupën e SPAK, janë vendosur edhe llogaritë e tij bankare.

SPAK po kryen veprime hetimore, ku sipas burimeve, institucioni i akuzës ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare që mund të ketë Bllako.

Gjithashtu sipas burimeve pranë SPAK mësohet se shkresa për të verifikuar pasuritë e Bllakos janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të ish deputetit dhe familjarëve të tij.

Hetim pasuror është duke u kryer edhe për ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, ndaj të cilit rëndojnë dy masa arresti me burg për aferën e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit. Ky i fundit akuzohet edhe për pastrim parash.

Burime thonë se e njëjta procedurë po procedohet edhe për ish-ministrin ku përveç sekuestrimit të kantinës së pijeve alkolike, dhe katër pronave, po verifikohen edhe llogaritë bankare të tij e familjarëve të tij. Koka akuzohet edhe për pastrim parash. Sipas SPAK për aferën e dy inceneratorëve ai ka përfituar në formën e ryshfetit rreth 4.9 milion euro.

/GazetaSinjali/