Sot në Kosovë, në të gjitha qendrat e vaksinimit ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve kundër COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas MSh-së, tashmë të gjitha qendrat e vaksinimit janë të gatshme për këtë proces të vaksinimit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces, derisa është shprehur i bindur se pas procesit të vaksinimit qytetarët do të jenë më të mbrojtur nga COVID-19.
Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin informacionet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën dhe kriteret e vaksinimit.
“Ministria tërheq vëmendjen dhe i lut qytetarët që, me qëllim të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, në qendrat e vaksinimit të drejtohen vetëm ata qytetarë, të cilët marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas termineve të caktuara përmes platformës eKosova”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Aktualisht, janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.
“MSh dëshiron të informojë, gjithashtu, se gjatë të gjitha fazave të vaksinimit, punonjësit shëndetësorë e kanë pasur dhe e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit; ndërsa krahas kategorive mbi 65 vjeç, deri tani janë vaksinuar edhe persona e hemodializës, personat me diabet, persona me sëmundje malinje, si dhe persona me sëmundje të tjera kronike, pavarësisht moshës së tyre, gjithashtu”, shkruan në njoftimin e MSh-së.
MSh kërkon nga qytetarët që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij./Gazeta Sinjali/