image Nis takimi mes Kurtit, Abdixhikut dhe Haradinajt

Politikë

Nis takimi mes Kurtit, Abdixhikut dhe Haradinajt

news image

Ka filluar takimi mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me liderët e opozitës, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta Sinjali.

Kujtojmë, se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka refuzuar ftesën.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një përgjigje dërguar Kurtit ka thënë se nuk konsideron se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për përgjegjësitë e kreut të ekzekutivit në dialog.

“Nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë,”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se pranon ftesën për shkak se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore.

“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, shkroi ai në Facebook.

Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, shkroi Haradinaj në Facebook.

/GazetaSinjali/