Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Takimi po zhvillimet me ta në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Para takimit, presidenti i Serbisë tha se do të “pranojë çdo vendim” të serbëve nga Kosova.
Ai tha se pret që serbët “të vijnë me kërkesa për të dhe për Serbinë”, dhe shtoi se ata nuk i besojnë as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së, e më së paku kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi më herët se Vuçiqi u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.
Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar. Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura.
Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.
Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.