image Nis numërimi i votave të diasporës, refuzohen mijëra fletvotime

Kosovë

KQZ/ Nis numërimi i votave të diasporës, refuzohen mijëra fletvotime

news image

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot ka nisur procesi i numërimit të 13 mijë e 500 votave që kanë ardhur me postë, derisa në këtë proces nuk janë përfshirë pakot me fletëvotime që kanë ardhur pas afatit ligjor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se  procesi i numërimit pritet të përfundojë brenda nesër, derisa theksoi se mbi 2 mijë e 600 pako me fletëvotime nga diaspora janë refuzuar pas procesit të vlerësimit.

“Në këto momente ka filluar procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve, të cilat kanë ardhur përmes postës gjatë periudhës së votimit 19 shtator – 5 tetor 2019. Ky numërim fillon pas vlerësimit që i është bërë pakove me fletëvotime që kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës… Gjatë periudhës së vlerësimit janë proceduar dhe vlerësuar 16 mijë e 189 pako të supozuara me fletëvotime, prej tyre 13 mijë e 491 janë aprovuar, ndërsa 2 mijë e 698 janë refuzuar…Planifikojmë që numërimi ë këtyre fletëvotimeve nga jashtë vendit të bëhet për një ditë e gjysmë, të paktën kështu është planifikimi”, tha Elezi.

Teksa ka njoftuar për natyrën e refuzimit të fletëvotimeve, Elezi tha se në këtë numërim të votave të diasporës nuk janë përfshirë pakot me fletëvotime që janë pranuar nga KQZ pas përfundimit të periudhës për votimit jashtë vendit.

“1 mijë e 74 persona që nuk kanë aplikuar në periudhën për t’u regjistruar si votues jashtë vendit,  204 aplikues, të cilët janë refuzuar gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit,  62 persona të cilët janë dërguar pako me fletëvotime më shumë se një herë, 797 raste të tjera kur personat që nuk janë identifikuar që kanë dërguar fletëvotim, dhe  561 persona që nuk e kanë dëshmuar identitetin me dokumente valide të identifikimit… Shërbimi votues i KQZ-së ka proceduar në bazë të detyrimeve që ka lidhur me votimin jashtë vendit, dhe në këtë  numërim këtu përfshihen vetëm votat që janë pranuar nga ana e KQZ para ditës së zgjedhjeve, pra nuk përfshihen edhe ato që janë pranuar pas afatit ligjor”, u shpreh Elezi.

Lidhur me pakot me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia, zëdhënësi i KQZ-së tha se aktualisht ato janë duke u hetuar nga institucionet përkatëse, dhe se KQZ do të njoftojë ndërkohë.

“Ju e dini se aktualisht ato zarfe apo dërgesa janë duke u hetuar nga institucionet përkatëse,  dhe për çdo gjë mund të them se do t’ju mbajmë të informuar ndërkohë”, theksoi zëdhënësi i KQZ-së.

Numërimi i të gjitha këtyre fletëvotimeve do të bëhet në 23 tavolina numërimi. Rezultati i këtij numërimi do të përditësohet kohë pas kohe në tabelën e QNR-së, si dhe gjithashtu formularët që plotësohen pas këtij numërimi do të skanohen dhe publikohen në ueb faqen e KQZ-së.

Të gjithë shtetasit e Kosovës në diasporë kanë mundur të votojnë përmes postës gjatë periudhës së votimit nga 19 shtator deri 5 tetor 2019.