Ngritja e çmimeve e produkteve bazike dhe e derivateve të naftës është duke u monitoruar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK). Kjo pasi shtrenjtimi po ndodhë në mënyrë të shpeshtë dhe të vazhdueshme.
Edhe shoqata për mbrojtjen e konsumatorit “Konsumatori”, u shpreh e shqetësuar rreth këtij problemi, e sidomos me heshtjen e institucioneve. Ngritjet, sipas Shoqatës, po i dëmtojnë më së shumti familjet me të ardhura të vogla.
Drejtori i AKK-së, Sakip Imeri, tha se rritjet e çmimeve në Kosovë po ndodhin për shkak se ekonomia vendëse varet shumë nga importi.
“Duke e pasur parasysh se ekonomia e Kosovës, si shtet i vogël, është shumë e ndikuar edhe prej ngritjes së përgjithshme të çmimeve që janë tash në trend global, është e ndikuar edhe e prekur drejtpërdrejtë, edhe rritja e çmimeve ndoshta këtu ndikohet edhe më shumë prej faktit se kompanitë që operojnë këtu janë kompani që janë të varura ekskluzivisht prej importit për shumicën e produkteve. Prej faktit që kanë varësi të madhe prej importit edhe ngritja e çmimeve përcillet në mënyrë zinxhirore prej furnizimeve që i kanë”, tha Imeri.
Imeri tha se institucioni që ai drejton është i angazhuar t’i monitorojë tregjet ku ka pasur ngritje te çmimeve dhe t’i parandalojë, nëse ka, marrëveshjet e bizneseve për ngritje të çmimeve.
“Jemi përcaktuar posaçërisht te tregu, te shporta e produkteve bazike ushqimore dhe kemi filluar me monitorim të tregut që nga viti i kaluar. Tash jemi thelluar në monitorim edhe me marrjen e informatave prej doganës, prej institucioneve që janë relevante për ne dhe besoj gjatë muajit shkurt deri në përfundim të shkurtit do të dalim me analiza për 2-3 produkte që edhe do të shihet ndikimi i rritjes së çmimeve prej nga ka ardhur dhe sa mund Autoriteti t’i parandalojë aty ku dyshohet se ka marrëveshje të dëmshme të bizneseve për ngritjen e çmimeve ose edhe për fiksim të çmimeve të caktuara”.
Ai u shpreh se në fokus kryesor të AKK-së janë tregjet ku paraqiten shqetësime, në veçanti ai i derivateve, i cili ka pësuar ngritje të njëpasnjëshme kohët e fundit.
“Te derivatet e naftës kemi një monitorim të vazhdueshëm që e kemi për shkak se ka pasë ngritje të çmimeve të shpeshta. Tash është një krizë globale që po përcillet edhe tjetër kund edhe do të ndikojë shumë në ngritjen e çmimeve për konsumatorët tanë. Ka ankesa herë pas here, ka ankesa edhe për marrëveshje potenciale që konsiderojnë se ka marrëveshje të bizneseve të ndonjë dege të caktuar e ato janë ekskluzivisht për fushën e konkurrencës”.
“Ka edhe ankesa për ngritjen ‘ad-hock’ të çmimeve, por Autoritet Kosovar i Konkurrencës nuk është institucion që i rregullon çmimet. Është institucion që ka autorizim për parandalimin e marrëveshjeve të ndaluara, krijimin e karteleve ose keqpërdorimin e pozitave të fuqishme që i kanë bizneset. Parandalimi i tyre është përgjegjësi e autoritetit. Ndërsa monitorimi i përgjithshëm i çmimeve neve veç na jep sinjale se mos po ndodhin keqpërdorime të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, u shpreh Imeri.
Ndërsa, kryetari i OJQ-së “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, për Ekonomia Online tha se ngritjet e çmimeve e kanë gjetur Kosovën të papërgatitur dhe se pasojat më të rënda po i bartin konsumatorët.
“Më e dhimbshmja e gjithë kësaj është se askush nuk e përmendi qytetarin e as familjen konsumatorë, taksapaguesit e buxhetit, të cilin ia kemi lënë amanet qeverisë e nga qeveria financohet. Por ata shtyhen mes vete për rivalitete dhe për konkurrencë mes partish por jo për qytetarin e as familjen konsumatorë”.
“Është jashtëzakonisht e dhimbshme se ne i kemi delegua me votën tonë dhe i ushqejmë me paranë tonë që ata padrejtësisht e quajnë publike, është paraja e qytetarit dhe familjes konsumatore sepse asnjë taksë nuk mund të mblidhet, asnjë e mirë nuk mund të prodhohet nëse ajo nuk parapëlqehet prej konsumatorit dhe nëse ai nuk e blen, e aty janë taksat, tatimet të gjitha kontributet fiskale”, u shpreh Kaçaniku.
Kaçaniku tha se para dy vitesh e kanë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës dhe opinionin se kategoria e qytetarëve, familjes konsumatore që jetonte në varfëri, 30% i popullatës dhe 30% i tyre brenda në varfëri të skajshme tani më ka falimentuar.
“Nuk mund të jetohet një familje 4,5,6,7 anëtarshe me më pak se 100 apo qoftë edhe me 100 euro ndihmë sociale. Nuk mund të jetojë një familje pensionistësh me 100 euro në muaj, është turp. Kushdo në botë edhe në Afrikë po t’i dëgjojë këto shifra, këto shifra janë të turpshme edhe atëherë qeveria ka gabuar edhe sot qeveria gabon se mundohet të na ndaj lëmosha. Qeveri e nderuar ne nuk jemi ata që meritojmë lëmoshë, me që jemi gjenerues kryesorë të buxhetit ne e kërkojmë hakun tonë, mos na trajto më me lëmosha”, tha Kaçaniku.