Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër nëntëmbëdhjetë zyrtarëve të Komitetit Qeveritar për Privatizim, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Nga të akuzuarit, mësohet se gjithashtu janë deputetja Mimoza Kusari- Lila, ish- minsitri Besim Beqaj dhe ish- zv/ministri Dardan Gashi.
Inicialet e kryesuesit dhe anëtarëve të Komitetit Qeveritar për Privatizim janë: B.B., F.H., M.K., D.G., N.R., A.Gj., F.Ç., M.R., A.N., F.K., I.I., G.J., B.B., G.Sh., N.H., A.A., B.H., K.B., dhe L.F.
Të gjithë këta, akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e veta duke votuar që disa hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga Limaku.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit B.B. kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, M.K., N.R., D.G. dhe L.F. anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”. Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK, e me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe akionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese. Dëmi tjetër i shkaktutar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezentuar vlerën e aseteve para privatizmit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazura në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme. Me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Ndërkaq, e pandehura F.H., në cilësinë e personit zyrtar- menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), A.Gj., në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., në cilësinë e personit zyrtar- koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., në cilësinë e personit zyrtar – anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që të i mundësojnë cfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Ndërsa, i pandehuri F.Ç, në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KEK-ut, M.R., A.N., F.K. dhe I.I., në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe G.J., në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KKDFE-së, B.B., G.Sh., N.H. dhe A.A., në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj cfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta. Të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës./ Gazeta Sinjali/