Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, L.K. për veprën ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se në periudhën kohore nga data 14.12.2018 e deri më 12.02.2020, i pandehuri L.K., me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
“Me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër në rastin konkret dy operatorëve ekonomik, në atë mënyrë që me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve, ka ndërhyrë, dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, dëshmitari S.T.”.
“Më pas në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomik lidhur me zbatimin e tenderit “Ndërtimi i mini parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik” në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro, ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës, ndërsa në anën tjetër për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro e të cilat fakte janë vërtetuar përmes ekspertizës së prokurimit pubik të datës 21.06.2021″, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./GazetaSinjali/