image Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë anëtarëve të familjes Likaj të dyshuar për tentim vrasjen në Prizren

Drejtësi

Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë anëtarëve të familjes Likaj të dyshuar për tentim vrasjen në Prizren

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë anëtarëve të familjes Likaj nga fshati Krajk i Prizrenit, të dyshuar për tentim vrasjen e 22 majit në fshatin Gjonaj, ku dy persona mbetën të lënduar, raporton Gazeta Sinjali.

Aktakuza është ngritur ndaj Abedin Likajt, Hajdin Likajt, Shaqir Likajt, Zenel Likajt, Isuf Likajt, Hajdar Likajt, pasi dyshohen për veprat “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”, “Sulmi”, “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: H.L, Sh.L dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173, të pandehurit I.L, dhe A.L., kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, të pandehurit H.L, I.L, H.L, Sh.L dhe Z.L., kanë kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, dhe H.L., Sh.L., I.L., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sinjali kishte raportuar se konflikti mes dy familjeve në fshatin Gjonaj të Prizrenit, kishte përfunduar me rrahje dhe plagosje, ku dy persona u lënduan, njëri me armë zjarri e tjetri me mjete të forta.

Ndërkaq, gjashtë personat ndaj të cilëve tashmë është ngritur aktakuza, ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, ku fillimisht u arrestua njëri prej tyre, e pastaj u vetëdorëzuan edhe të tjerët.

Kujtojmë se vëllezërit Shaqir e Hajdin Likaj janë akuzuar për vrasjen e vëllait të tyre, Kujtim Likaj, në vitin 2015.

Ata akuzoheshin se më 31 gusht 2015, me dashje direkte dhe me paramendim ndërmarrin veprime me përdorim të armëve të zjarrit, duke e privuar nga jeta vëllain e tyre. Incidentit tragjik i kishte paraprirë një mosmarrëveshje e mëhershme si dhe konflikti verbal në ditën kritike lidhur me kalimin e automjeteve të dasmorëve nëpër rrugën e tyre të përbashkët.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/