Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, sot ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: Ekrem Regjepi dhe Shkëlqim Kamberaj (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11 vjeçares, të cilët gjenden në paraburgim.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe trafikimi me njerëz, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale dhunimi, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, trafikimi me njerëz, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale dhunimi, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.
Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal i cili i takon muajit qershor të këtij viti, ju njoftojmë se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.