Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në Pejë, ku një vajzë shtatzënë u dërgua në gjendje kritike në Spitalin Rajonal, ku fatkeqësisht humbi foshnjën. Për këtë rast tashmë është iniciuar hetimi dhe janë zbuluar detajet, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, nëna është një 17-vjeçare, e cila përfundoi në spital në javën e 36-të të shtatzënisë, ku kërkoi ndihmë për shkak të problemeve që iu shfaqën.
Burimet brenda spitalit kanë bërë me dije se posa pacientja është pranuar në Repartin e Gjinekologjisë, ekipi mjekësor ka kryer ekzaminimet e nevojshme – me ç’rast është konstatuar se fryti ishte pa shenja jete.
Viktima i është nënshtruar intervenimeve mjekësore dhe është njoftuar edhe Policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve hetimore.
Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë, por akoma nuk ka marrë një konfirmim zyrtar.