Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjermaninë, ku një vajzë njëvjeçare ka humbur jetën pasi ka qëndruar për disa orë e mbyllur në një automjet të parkuar në qytetin Schorndorf, në landin Baden-Württemberg.
Sipas mediave gjermane dhe informacioneve paraprake nga hetimet, dyshohet se fëmija është harruar në automjet nga nëna e saj 44-vjeçare.
Policia ka bërë të ditur se të mërkurën, rreth orës 14:50, ka pranuar një njoftim për një fëmijë pa shenja jete në një makinë të parkuar në rrugën “Richard-Kapphan”. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ekipet emergjente, të cilat kanë nisur përpjekjet për reanimim.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, vajza nuk ka arritur të mbijetojë dhe është shpallur e vdekur.
Sipas të dhënave të deritanishme, nëna e ka gjetur fëmijën vetëm në orët e pasdites, disa orë pasi e kishte lënë në automjet.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohet saktësisht koha sa ka qëndruar fëmija brenda automjetit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!