image Ngjarja që terrorizoi Prizrenin, tre grabitësit ende s'janë identifikuar - Sinjali

Ngjarja që terrorizoi Prizrenin, tre grabitësit ende s’janë identifikuar

news image

Një ngjarje si në filma ndodhi mbrëmë në Prizren, pasi tre të dyshuar, të armatosur, gjatë tentimit për ta grabitur një argjendari në rrugën “Adem Jashari”, plagosën dy persona, babë e bir, pronarë të lokalit. Të dyshuarit që terrorizuan qytetin, në momentet e tentim grabitjes ikën me një veturë të zezë, e cila më pas u gjet e djegur. Për të mos mbaruar me kaq, të njëjtit grabitën një veturë të tipit Polo, të cilën po ashtu e dogjën. Gazeta Sinjali publikoi mbrëmë pamje ekskluzive të kësaj drame, të dyshuarit e së cilës s’janë identifikuar as pas 24 orëve prej kur tentuan ta grabisin argjendarinë.

Nga Policia në Prizren thanë për Sinjalin se nuk ka detaje të reja, përveç atyre të cilat janë publike tashmë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali fillimisht publikoi pamjet kur të dyshuarit ndalen para argjendarisë, me armë në dorë dhe tentojnë të kryejnë grabitjen. Pasi hasën në rezistencë, ata gjuajtën në drejtim të pronarëve, Orhan dhe Ismet Kasemit, të cilët i plagosën dhe ikën nga vendi i ngjarjes. Vetura me të cilën ikën u gjet e djegur në Lubizhdë të Prizrenit.

Pasi tentuan t’i “zhdukin” gjurmët duke djegur veturën e parë, të dyshuarit grabitën një veturë tjetër, të cilën po ashtu e dogjën, por që fillimisht me të shkuan deri te pompa e derivateve “OK” në fshatin Korishë, ku u furnizuan me karburant. Më pas, ajo veturë u gjet e djegur në Mugë të Skenderajt.

Gjendja e të plagosurve

Nga Spitali i Prizrenit kanë thënë për Sinjalin se gjendja e të plagosurve është stabile dhe ekipet mjekësore po vazhdojnë të përkujdesen për ta. Njëri nga të plagosurit, 61 vjeçari Orhan Kasemi, është operuar, mirëpo shkaku i një gjakderdhjeje ai është duke vazhduar trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

“Pacientët që janë pranuar mbrëmë, njëri 61 vjeç, me lëndime me armë zjarri në regjionin e barkut, në femurin e djathtë dhe në glutolsin e djathë, mbrëmë i është nënshtruar operimit kirurgjik. Sot pasi i është bërë pastrimi i plagës është konstatuar gjakderdhje nga pjesa glutoale dhe pas konsultit me kirurgun vaskular të Spitalit në Prizren, pacienti vazhdon trajtimin në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, tha Afrim Avdaj, drejtor i spitalit.

Ndërsa, i plagosuri tjetër, 28 vjeçari, sipas Avdajt, është i hospitalizuar në repartin e ortopedisë dhe po vazhdon trajtimin në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin