Ngërçi i thellë politik që ka përfshirë vendin dhe pamundësia për konstituimin e institucioneve ka nxitur reagimin e organizatave që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
Organizatat e Veteranëve të Luftës (OVL), të Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe të Familjeve të Dëshmorëve (SHFD), në një reagim të përbashkët, i kanë bërë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e fundit parlamentare, që të gjejnë urgjentisht zgjidhje për tejkalimin e këtij bllokimi institucional.
“Kjo situatë e krijuar së fundmi, ku janë bërë 48 tentime për konstituim, tregon qartë se partitë politike nuk kanë vullnet të sinqertë për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga ky bllokim institucional. OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, me theks të veçantë partisë së parë që ka dalë fituese nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për konstituimin e institucioneve, sepse kjo situatë është e papranueshme për ne si kategori të dala nga lufta dhe të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.
Ato kanë theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit duhet të zbatohet në mënyrë të pashmangshme.
“Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë juridik në vend, ka dhënë një vendim të qartë: Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet deri më 26 korrik 2025.”
Në të njëjtën linjë, organizatat kanë ngritur shqetësimin se mosrespektimi i këtij vendimi përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe mohon sakrificën e të rënëve për liri.
“Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk po kërkojmë privilegje. Ne nuk po kërkojmë favore politike. Ne po kërkojmë vetëm një gjë: zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse ky vend nuk funksionon mbi bazën e Kushtetutës, atëherë për çfarë kemi luftuar ne? Nëse institucionet nuk respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kush tjetër duhet t’i respektojë ato para tyre? Shteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë individ, qoftë ai edhe Kryeministër”, thuhet në reagim.
Organizatat paralajmërojnë se nuk do të qëndrojnë indiferente nëse partitë politike nuk reflektojnë deri në afatin e vendosur nga Kushtetuesja.
“Nëse deri më 26 korrik nuk ka reflektim nga partitë politike për ta zgjidhur këtë situatë, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kanë thënë se nuk do të qëndrojnë duarkryq. Kosova është ndërtuar me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të këtij populli, dhe ne nuk do ta lejojmë askënd të nëpërkëmbë këtë sakrificë”, thuhet në reagim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!