Me vendim të ri qeveritar, sot hapen xhamitë dhe kishat në Kosovë, të cilat kanë qenë të mbyllura për një kohë për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.
Mirëpo, besimtarët duhet të ndjekin një protokoll sigurie që ndihmon në parandalimin e këtij infeksioni.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) rekomandon besimtarët që gjatë prezencës në xhami të vazhdojnë t’i përmbaheni masave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalim të përhapjes së virusit, i cili edhe më tej vazhdon të jetë prezent në Kosovë.
Masat që duhet të vazhdojnë të respektohen për prezencë në xhami, janë:
– Të merret abdest në shtëpi
– Të vendosen maskat
– Të ketë dezinfektues duarsh në xhami
– Të mbahet distanca sociale
– Të mos ketë tubime tjera përveç namazit, pra jo tubime me vijues të mësim besimit, jo mukabele, jo ligjërata me përjashtim të hutbes së xhumasë.
– Ligjërata e xhumasë mos të zgjatet më tepër se 10 minuta
– Të mos shfrytëzohen abdes-hanet dhe tualetet e përbashkëta.
Ndryshe, që nga 13 marsi e deri tani në Kosovë me virus janë infektuar 1 mijë e 48 persona, 801 prej të infektuarve janë shëruar kurse 30 persona kanë humbur jetën, por që kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./GazetaSinjali/