Policia e Kosovës njoftoi se si pasojë e shpërthimit të një bombole të gazit në qendrën e lojërave për fëmijë “BlissVille” mesditën e sotme, janë lënduar 12 persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në Klinikën Emergjente në QKUK, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, nga kjo klinikë njoftojnë se këta nuk janë personat e vetëm të lënduar nga ky shpërthim.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, tha për Gazetën Sinjali se numri i personave të lënduar që janë dërguar deri tani në këtë klinikë është 15.
Lenjani tha se mosha mesatare e të lënduarve është 30-vjeç.
“Gjithsej në Klinikën Emergjente, sepse disa kanë ardhë më vonë, gjithsej i kemi 15. Tetë prej tyre janë pranuar në Kirurgjinë Plastike me djegie të fytyrës dhe të duarve, ndërsa shtatë të tjerë janë me lëndime të lehta në kokë, të cilët po trajtohen ende në Klinikën Emergjente. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Mosha e tyre është nga 19 deri në 56-vjeç, mosha mesatare është mosha 30 vjeçare”, tha Lenjani.
Për këtë rast Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me “BlissVille”, qendrën e lojërave në të cilën ndodhi shpërthimi, por ata e kanë mohuar se ka persona të lënduar ose të vdekur./Gazeta Sinjali/