Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbrëmjes së shkuar është paraqitur në një intervistë televizive për televizionin e Shqipërisë, TV Klan, ku ka folur për një sërë temash si dhe zhvillimet e fundit politike, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti ka treguar kronoligjinë e ngjarjeve që dërguan deri tek propozimi i fundit franko-gjerman, që ai tha se ishte gati “merre ose lere”, duke thënë se SHBA e përkrah këtë plan, bashkë me shtetet tjera perëndimore.
“5 emisarët ishin bashkë më 15 janar këtu. Që të gjithë janë bashkë. Më shumë do të thosha se është në fazën e propozimit i cili merr shumë nga fryma dhe paragrafët e caktuara në marrëveshjen mes dy Gjermanive”, ka thënë Kurti.
“Herën e parë kur na kanë sjellur më 9 shtator, nuk ka qenë mere ose lëre. Ndërkaq më 20 janar, për bindjen time pas shumë kohësh pas kishim mundur të takohemi shumë herë, ishte shumë më afër mere ose lere. Propozimi nuk është që nuk nënkupton bisedime të mëtutjeshmne. E pranojmë në parim, duhet ta negociojmë dhe duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë të paqarta sidomos për mekanizmat që do ta fusin në funksion. E sjell njohjen de-facto mes shteteve”, shtoi ai.
Kurti thotë se duhet të diskutohet ende për propozimin dhe se ai nuk është final dhe se dallon nga marrëveshja mes dy Gjermanive e vitit 1972.
“Nuk është finale, andaj po them. Është më tepër një marrëveshje bazike e cila bën një marrëveshje mes dy palëve por jo të plotë”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, plani franko-gjerman parasheh njohjen de facto mes Kosovës dhe Serbisë. Por ai thekson se ky plan është më tepër një marrëveshje bazike që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është një marrëveshje finale.
I pari i Qeverisë ka thënë se ka qenë kërkesë e ndërmjetësve evropianë që plani franko-gjerman të mos bëhet publik.
“Është kërkesë e ndërmjetësve europianë, emisarëve nga Brukseli, Parisi dhe Berlini, që pa pasur një hap konkret drejt pranimit të tij të mos ketë zbardhje të plotë të përmbajtjes së tekstit”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se ky plan është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës-Serbisë.
Po ashtu tha se plani franko gjerman është pranuar në parim, por se duhet të negociojmë.
“Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe më pas duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë gjëra ende të padefinuara. Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues, dhe sekuencimin kohor”, u shpreh Kurti.
Tutje, kryeministri kosovar tha se ky plan e ka njohjen de facto mes dy vendeve.
“Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se në planin franko-gjerman nuk flitet për të drejtat e serbëve në Kosovë, por të drejtat e pakicave kombëtare.
Ai është shprehur nuk ka vetëm Kosova pakica kombëtare, por edhe Serbia.
“Propozimi bazë ka 5 fjali preambulë dhe 10 nene. Në pikën e 10 thuhet pakicat kombëtare. Nuk thuhet në Kosovë por pakicat kombëtare në përgjithësi. Ka pakica edhe në Serbi. Numri i shqiptarëve atje është më i madh se sa i serbëve në Kosovë”, tha Kurti.
Ai tha se në marrëveshje kërkohet që të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, ndër to edhe Asociacioni.
Kurti tutje ka folur edhe për raportet që mban me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka treguar se nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me të, duke thënë se marrëdhëniet janë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Nuk kemi raporte që janë të pa-ndërmjetësuara nga BE. Nuk jemi shtete mike ne”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, kur është pyetur se si komunikon me të, kur takohen në Bruksel, Kurti ka thënë se ata bisedojnë në gjuhën angleze.
Gjatë intervistes ai u ndal pak edhe te tema e bashkimit kombëtar, ku tha se Kosova dhe Shqipëria duhet ta forcojnë bashkëpunimin mes tyre.
“Janë dy shtete por, jo dy kombe”, tha Kurti.
Kurti u pyet se a është ende “flamurtar” i bashkimit, ai u përgjigj:
“Ky ideal është i rilindasve tanë dhe nuk është një ideal që e përzgjedhim ne. Besoj që është një intencë historike që na ka përzgjedhur neve. Dhe në këtë kuptim, ne jemi në shërbim të tij”, u shpreh Kurti
Më tej shefi i Qeverisë ka kritikuar Gjykatën Speciale për disa pika dhe ka shtuar se ajo nuk është dashur të themelohet asnjëherë.
Kurti tha po ashtu tha se nuk e përjashton mundësinë që të takojë ish-liderët e UÇK-së që ndodhën në Hagë, pasi që këtë gjë nuk e ka bërë ende.
Kurti ka mohuar që raportet me homologun e tij shqiptar, Edi rama, janë të këqija.
Ai ka thënë se raportet mes dy kryeministrave janë shumë më të mira se sa paraqiten, por që ka pika ku të dy dallojnë. Njëra pikë është mendimi i kundërt për iniciativën “Ballkani i Hapur”
Tutje, kur u pyet se çfarë pyetje do të kishte për Ramën po të mund ta intervistonte, Kurti tha se nuk ka pyetje por vetëm një porosi.
“Atij do i thoja që të ketë më pak shpresa në presidentin serb Vuçiq, i cili është i pandashëm nga presidenti despotik rus Putin”, shtoi ai.