image Nga pranë presidentes e deri te këngëtaret e njohura, i dyshuari për vrasjen e Liridonës i pranishëm kudo

Kosovë

Nga pranë presidentes e deri te këngëtaret e njohura, i dyshuari për vrasjen e Liridonës i pranishëm kudo

news image

Natën e 29 nëntorit rezultoi tragjike për familjen e 30-vjeçarës Liridona Ademaj Murseli, e cila mbeti e vrarë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se e njëjta ishte gruaja e ish këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit, Naim Murselit, i cili vetëm dy ditë pas aktit do të arrestohej si i dyshuar për porosi të vrasjes së Liridonës.

Fillimisht, Murseli kishte deklaruar në Policinë e Kosovës për natën në fjalë se teksa po udhëtonin me Liridonën dhe fëmijët e tyre, u përballën me disa plaçkitës, nga të cilët arriti t’i largojë fëmijët, por jo edhe gruan të cilën sipas këtij deklarimit të tij, ia vranë plaçkitësit në fjalë.

Pas hetimeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës, pista e dyshimit filloi të shfaqte rezultate, me ç’rast u arrestua vetë Naim Murseli, Granit Plava si i dyshuar për kryerjen e vrasjes pas një dakordimi me pagesë prej 30.000 euro, si dhe pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokalla.

Deri më tani nuk dihen motivet e këtij akti të rëndë, ndërsa Sinjali do t’iu mbajë të informuar me të gjitha detajet e reja.

Megjithatë, një shikim i thjeshtë i llogarisë që Naim Murseli kishte në rrjetin social “Facebook”, një i dyshuar për porositje të vrasjes së gruas së tij, shihet kudo e me këdo.

Politikanë vendor, këngëtare shqiptare me famë ndërkombëtare, futbollist shqiptar me famë ndërkombëtare, e edhe politikanë të huaj, pothuajse me të gjithë shoqërohej në ambiente shtetërore, restorante e vende luksoze, ku shihej mjaft i afërt me ta.

Naim Murseli në llogarinë e njëjtë publike nuk ka fotografi me gruan e tij tashmë të ndjerë, Liridonën, teksa edhe 3 fëmijët në krahasim me numrin e fotografive të publikuara, janë më pak të ekspozuar.

/GazetaSinjali/