image Nga nisja e krizës së çmimeve, shqiptarët po blejnë më pak ushqime

Shqipëri

Nga nisja e krizës së çmimeve, shqiptarët po blejnë më pak ushqime

news image

Shqiptarët po konsumojnë më pak që prej nisjes së krizës së çmimeve. Të dhënat e siguruara nga EuronewsAlbania, tregojnë se importet e mallrave në volum për 5 muajt e parë të këtij viti kanë rënë  122,217 ton krahasuar me një vit më parë.

Importet kanë nisur uljen në muajin mars, periudhë kur çmimet pësuan rritjen më të lartë, tendencë e cila ka vazhduar edhe për prillin dhe majin.

Për këta 3 muaj, blerjet e mallrave jashtë janë 153,834 ton më pak se një vit më parë.

Gjatë majit shqiptarët kanë ulur edhe blerjet e ushqimeve.

Importet për këtë kategori kanë rënë me një normë vjetore prej 2%, ose 1531 ton më pak. Por kjo situatë nuk është e tillë për qeverinë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e sheh më të lartë se një vit më parë edhe totalin e importit të mallrave për majin.

Por, shifrat e INSTAT tregojnë se në maj janë blerë 65,547 ton më pak mallra, 15% më pak se një një vit më parë.

Rënien më të lartë e kanë patur mineralet dhe lëndët djegëse. Këto produkte janë ulur me 7% që prej nisjes së rritjes së çmimeve, të ndikuara kryesisht nga ulja e kërkesës për karburante.

Importet e materialeve të ndërtimit janë ulur me 63,898 ton në dy muajt e fundit dhe janë rritur me 8% në janar – mars të këtij viti.

Por pavarësisht këtyre të dhënave që janë publikuar nga INSTAT, vetë rritja që ky institucion ka nxjerrë për sektorin e ndërtimit në tremujorin e parë është 25%.

INSTAT ka publikuar me 15.5% rritje edhe formimin bruto të kapitalit fiks bruto, i cili shpreh ecurinë e investimeve të biznesit, por importet e makinerive dhe pajisjeve për tremujorin e parë të vitit janë ulur me 5.6%.

Dega e vetme me rritje në tregtinë e jashtme janë fasonët, ku importet e këtij sektori u rritën me 700 ton.

Përballë këtyre të dhënave, INSTAT publikoi një rritje ekonomike afër nivelit 6%, 2 ditë më parë, e ndikuar nga ndërtimi, ku importet për këtë industri janë rritur me 8%, nga shtimi i konsumit, kur importet në sasi kanë rënë investimet e bizneseve janë reduktuar dhe investimet publike të qeverisë janë 40% më pak se një vit më parë.  

Përballë kësaj tabloje, sektori kryesor i prodhimit në vend, bujqësia, prej muajsh ka mbetur në stanjacion.

/GazetaSinjali/