image Nga mishi e birrat me Thaçin e Veselin, në ‘krahët’ e Albin Kurtit

Kosovë

Zgjedhje/ Nga mishi e birrat me Thaçin e Veselin, në ‘krahët’ e Albin Kurtit

news image

Tetë muaj më parë, Agim Bahtiri, ishte ulur në një tavolinë të gjatë me liderët kryesor të shtetit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Bedri Hamza, Ramiz Lladrovci dhe persona të tjerë kishin qenë të ulur aty.

Sot, Bahtiri i është bashkuar një lideri të një partie, i cili gjatë gjithë karrierës politike kishte folur kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit, raporton Sinjali.

Albin Kurti dhe Hashim Thaçi përkundër që janë gjatë pjesë e politikës në Kosovë, ata nuk janë ulur asnjëherë në të njëjtën tryeze. Megjithatë, Agim Bahtiri është ulur edhe me Hashim Thaçin dhe me Albin Kurtin.

Me Thaçin e Veselin, Bahtiri ishte takuar për birra, verë e mish, ndërkohë me Albin Kurtin ai është ulur për të bërë politikë.

Lidhja mes Bahtirit dhe Kurtit ka kohë që kishte filluar. Vetëm gjatë ditës së sotme kjo lidhje mes tyre u konkretizua me kalimin e Bahtirit nga AKR-ja në VV. Bahtiri po e quan Kurtin shpëtim për Kosovën.

Për kalimin e tij ai ka përmendur një arsye. Ka thënë se Kosova gjendet në fazën e dialogut me Serbinë, ku sipas tij, Albin Kurti është njeriu më këmbëngulës që territori i Kosovës të mos cenohet.

“Kam pas oferta prej të gjitha partive dhe me të gjitha i kam provuar por kam dashur ta bëjë një kthesë të fuqishme, për shkak se mendojë që populli kosovarë duhet t’i jap të drejtën edhe këtij që ta udhëheq vendin”

“Duke e ditur që është dialogu dhe kjo çështje është e prekur edhe Mitrovica mendoj që është më këmbëngulësi për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu ai ka treguar përse është larguar nga AKR-ja.

“Z.Pacolin e kam mik të vjetër njihemi shumë mirë dhe nuk është që ia kam kthyer shpinën atij, por ia kam kthyer politikës së gabuara të AKR-së dhe kjo është ajo që e kam vendosur fuqishëm që njëherë e përgjithmonë të kalojë në një parti tjetër që do t’i jap kontribut të veçantë Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Për ndejën në Mitrovicë, Hashim Thaçi kishte thënë se ishte ftuar nga Kadri Veseli. Thoshte se  kishte qenë ndejë private me miqtë e tij.

“Sa i përket ndejave private kam qenë i ftuar nga miku im dhe dikur bashkëluftëtari Kadri Veseli, në një ndejë private me njerëz që kanë qenë të parët themelues të UÇK-së miq të mi bashkëluftëtar njerëz të respektuar të Kosovës”.

Ka qenë ndejë shumë e mirë, pa diskutime politike, e përcjell me folklor patriotik e nivelit emocionues. S’ka pas diçka politike me përjashtim që natyrisht se unë besoj në respektimin e ligjshmërisë po dhe në respektimin e opinionit qytetar në Mitrovicë”, kishte deklaruar Thaçi./Sinjali/